Kjo hedhje e re në qarkullim ngrihet mbi veçori të sjella për herë të parë në Shfletuesin Tor 10.5 për të shndërruar punën e përdoruesit gjatë lidhjes me Tor-i që prej rajonesh të censuruara rëndë.

Ç’ka të re?

Shfletuesi Tor 11.5

Pikasje dhe anashkalim i automatizuar i censurimit

Zumë t’i rijapim formë pjesës së lidhjes me Tor-in me hedhjen në qarkullim të Shfletuesit Tor 10.5 vitin e kaluar, përfshi nxjerrjen në pension të Nisësit të Tor-it dhe integrimin e pjesës së lidhjes te dritarja e shfletuesit. Megjithatë, anashkalimi i censurimit të vetë Rrjetit Tor mbeti ende një proces për t’u kryer dorazi dhe i ngatërruar – përdoruesit duhej të zhyteshin në rregullimet e Rrjetit Tor dhe të kuptonin se si të aplikonin vetë një urë për zhbllokim të Tor-it. Për më tepër, censurimi i Tor-it s’është i njëtrajtshëm – dhe teksa një transport i bartshëm a një urë e dhënë mund të funksionojë në një vend, kjo s’do të thotë se do të funksionojë ngado.

Kjo ua hidhte barrën përdoruesve të censuruar (që janë edhe kështu nën trysni jo të vogël) të kuptojnë se cilën mundësi të zgjedhin, duke sjellë plot prova, gabim dhe kokëçarje gjatë procesit. Në bashkëpunim me ekipin Anti-Censurim në Projektin Tor, jemi përpjekur të zvogëlojmë këtë barrë me sjelljen për herë të parë të Asistimit të Lidhjes: një veçori e re që, kur duhet, do të ofrojë aplikim të automatizuar të formësimit të një ure që mendojmë se funksionon më mirë për rastin e vendndodhjes tuaj.

Asisto Lidhjen

Asisto Lidhjen funksionon duke kërkuar dhe shkarkuar një listë të përditësuar mundësish, specifike për vendin, për t’u provuar duke përdorur vendndodhjen tuaj (me pëlqimin tuaj). Ia del ta bëjë këtë pa qenë nevoja të lidhet fillimisht me Rrjetin Tor, duke përdorur moat – të njëjtin mjet që Shfletuesi Tor përdor për të kërkuar një urë nga torproject.org.

Teksa Asisto Lidhjen ka mbërritur në piketën e hedhjes së parë të qëndrueshme në qarkullim, ky është vetëm versioni 1.0 dhe përshtypjet tuaja do të jenë të paçmueshme për të na ndihmuar t’i përmirësojmë funksionimin në hedhje të ardhshme në qarkullim. Përdorues prej vendesh ku Rrjeti Tor mund të jetë i bllokuar (bie fjala, Bjellorusia, Kina, Rusia dhe Turkmenistani) mund të provojnë zhvillimin më të ri të kësaj veçorie duke dalë vullnetarë si testues alfa dhe duke njoftuar përfundimet tuaja te forumi i Tor-it.

U rikonceptuan rregullimet për Rrjetin Tor

Rregullime lidhjeje

Shpresojmë se shumica e përdoruesve tanë që jetojnë nën censurim të skajshëm do të jenë në gjendje të lidhen me Tor-in vetëm me shtypjen e një butoni, falë mjetit Asisto Lidhjen. Por e dimë se do të ketë përherë përjashtime te kjo dhe se ka mjaft përdorues që parapëlqejnë ta formësojnë vetë dorazi lidhjen e tyre.

Kjo është arsyeja pse kemi harxhuar kohë edhe për rikonceptimin e rregullimeve të Rrjetit Tor – me:

  • Një emër fringo të ri: Rregullimet për Rrjetin Tor tanimë quhen rregullime Lidhjeje. Ky ndryshim është menduar të qartësojë cilat rregullime saktësisht mund të gjeni brenda kësaj skede.
  • Gjendje lidhjeje: Gjendja e fundit e ditur për lidhjen tuaj tanimë mund të gjendet në krye të skedës, përfshi mundësinë për të testuar lidhjen tuaj në Internet pa Tor, përmes përdorimit të moat-it, për t’ju ndihmuar shpleksni lëmshin e lidhjeve tuaja.
  • Mundësi të thjeshtuara urash: Lista e gjatë e fushave dhe mundësive iku. Çdo metodë për të shtuar një urë të re është pastruar dhe sistemuar në menu individuale me dialogë, çka do të ndihmojë mbulim përmirësimesh të mëtejshme në të ardhmen.
  • Asisto Lidhje: Kur lidhja e Shfletuesit Tor me Rrjetin Tor është e paarritshme, për shkak censurimi të dyshuar, jepet një mundësi shtesë përzgjedhjeje automatikisht të një ure.
  • Skeda urash, të reja fringo: Urat kanë qenë thuajse të padukshme, madje edhe kur ishin të formësuara. Tanimë, urat tuaja të ruajtura shfaqen si një grup i volitshëm skedash – përfshi edhe mundësi të reja për ndarje urash me të tjerë.

Diagram skede ure

Kjo është anatomia e një skede ure, kur zgjerohet. Përveç të kopjimit dhe ndarjes me të tjerë të rreshtit për urën, çdo urë vjen gjithashtu me një kod unik QR që do të jetë i lexueshëm nga Shfletuesi Tor për Android (dhe, me shpresë, edhe nga aplikacione të tjera të bazuara në Tor) në një hedhje të ardhshme në qarkullim – duke ndihmuar të lehtësohet shpërngulja e një ure funksionale nga desktopi në celular.

Kur keni disa ura të formësuara, skedat do të tkurren në një grup – secila prej tyre mund të zgjerohet sërish me një klikim. Dhe kur të jetë lidhur, Shfletuesi Tor do t’ju bëjë të ditur se cila urë po përdoret aktualisht, përmes topthit “✔ E lidhur”. Për të ndihmuar në kuptimin e dallimeve mes urave tuaja, pa qenë nevoja të krahasohen rreshta të gjatë, jomiqësorë urash, kemi prurë ura-moxhit: një vizualizim i shkurtër me katër emoxhi, që mund t’i përdorni për të identifikuar urën e duhur fill me një vështrim.

Së fundi, lidhjet për ndihmën brenda rregullimeve të Lidhjes tanimë punojnë edhe pa internet. Për ta përmbledhur – ka dy lloje lidhjesh ndihme te rregullimet e Shfletuesit Tor: ato që shpien te support.mozilla.org dhe ato që shpien te tb-manual.torproject.org (pra Doracaku i Shfletuesit Tor). Por, meqë lidhjet me bazë web s’janë të dobishme, kur merreni me probleme lidhjeje me Shfletuesin Tor, doracaku tani është pjesë e Shfletuesit Tor 11.5 dhe mund të përdoret pa internet. Përveç lidhjeve të ndihmës brenda rregullimeve të Shfletuesit Tor, doracaku mund të përdoret përmes Menusë Aplikacion > Ndihmë > Doracaku i Shfletuesit Tor dhe edhe duke dhënë “about:manual” te shtylla e adresave të shfletuesit tuaj.

Mënyrë Vetëm-HTTPS, si parazgjedhje

Mënyra Vetëm-HTTPS

HTTPS-Everywhere është një nga dy zgjerimet që më parë vinin të paketuara në Shfletuesin Tor dhe ka pasur një karrierë të gjatë dhe të shquar në mbrojtjen e përdoruesve tanë duke përmirësuar automatikisht lidhjet e tyre me HTTPS, kurdo ku kjo ka qenë e mundshme. Tanimë, faktikisht HTTPS gjendet kudo dhe krejt shfletuesit e njohur përfshijnë mbulim së brendshmi për kalim automatikisht nën HTTPS. Firefox – shfletuesi mbi të cilin ngrihet Shfletuesi Tor – e quan këtë veçori Mënyra Vetëm-HTTPS.

Duke nisur me Shfletuesin Tor 11.5, Mënyra Vetëm-HTTPS është e aktivizuar, si parazgjedhje, për desktopin dhe HTTPS-Everywhere s’do të paketohet më brenda Shfletuesit Tor.

Pse tani? Kërkime nga Mozilla tregojnë se pjesa e faqeve jo të siguruara të vizituara nga përdoruesit e rëndomtë është shumë e ulët – duke e kufizuar prishjen e shkaktuar te punimi i përdoruesit. Më tej, ky ndryshim do të ndihmojë të mbrohen përdoruesit tanë nga sulme SSL stripping prej relesh dashakeqe dalëse dhe të reduktohet fort shtysa për të mbajtur në punë rele dalëse thjesht për sulme Man-in-the-Middle.

Mund ta dini ose jo se HTTPS-Everywhere bënte edhe një punë të dytë në Shfletuesin Tor dhe qe pjesërisht përgjegjëse për funksionimin e emrave Onion të lexueshëm nga syri njerëzor për SecureDrop work. Përdorues të SecureDrop-it mund të flenë të qetë se e keni arnuar Shfletuesin Tor për të siguruar se emra Onion të lexueshëm nga syri njerëzor ende funksionojnë në mungesë të HTTPS-Everywhere-it.

Shënim: Ndryshe nga desktopi, Shfletuesi Tor për Android do të vazhdojë të përdorë edhe për ca kohë HTTPS-Everywhere. Ju lutemi, shihni përditësimin tonë veçmas mbi Android-in më poshtë.

U përmirësua mbulim shkronjash

Shkronja të përmirësuara

Një nga teknikat e shumta të Shfletuesit Tor kundër krijimit të profileve të shfletimit përfshin mbrojtje kundër numërimit të llojeve të shkronjave – me të cilën një kundërshtar mund të krijojë një profil tuajin duke përdorur llojet e shkronjave të instaluar në sistemin tuaj. Për t’iu kundërvënë kësaj, Shfletuesi Tor jepet me një grup të standardizuar shkronjash për përdorim në vend të atyre të instaluara në sistemin tuaj. Por disa lloje shkrimesh nuk shfaqen saktë, ndërsa të tjerë s’kanë shkronja fare në Shfletuesin Tor.

Për të zgjidhur këtë çështje dhe për të rritur numrin e sistemeve të shkrimit të mbuluara nga Shfletuesi Tor, në këtë hedhje në qarkullim kemi paketuar mjaft lloje shkronjash më tepër nga familja Noto. Sigurisht, na duhet të gjejmë baraspeshim mes numrit të llojeve të shkronjave që Shfletuesi Tor mbulon pa rritur shumë madhësinë e instaluesit, për çka jemi shumë të ndërgjegjshëm. Ndaj nëse pikasni një gjuhë shenjat e së cilës nuk krijohen saktë në Shfletuesin Tor, ju lutemi, na e bëni të ditur!

Dërgonani përshtypjet

Nëse gjeni një të metë, ose keni një sugjerim se si mund ta përmirësojmë këtë hedhje në qarkullim, ju lutemi, na e bëni të ditur. Falënderim për krejt ekipet në Tor dhe për mjaft vullnetarë, të cilët dhanë ndihmesë në këtë hedhje në qarkullim.

Ju duhet ndihmë?

Shihni PBR nga bashkësia jonë

Vizitoni Asistencën

Lidhuni

Bisedoni me ne drejtpërdrejt!

Ejani te ne në IRC