Ç’ka të re?

Shfaqje e qarkut të përditësuar

Në Shfletuesin Tor për desktop, qarku Tor për secilën prej skedave tuaja mund të gjendet te shfaqja e qarqeve. Deri në këtë hedhje në qarkullim, shfaqja e qarqeve bëhej që nga paneli i hollësive të sajtit – që do të thoshte se duhej të klikonit ikonën e drynit (ose ikonën qepë, në rast sajtesh Onion) në të majtë të shtyllës së adresave, për ta parë. Pjesëmarrës në testime përdorimi shpesh rrekeshin të gjenin shfaqjen e qarqeve, kur u kërkohej dhe përdoruesve, në përgjithësi, u duhej mësuar se ku gjendej ky element.

Për ta ndrequr këtë, e kaluam shfaqjen e qarqeve pas një ikone të re shumëngjyrëshe, që rri pas drynit. Më tej, reletë tani kanë flamuj, për të ndihmuar të bëhet më e lehtë identifikimi me një vështrim i vendndodhjes së tyre; konceptimi i qarqeve të sajteve Onion është bërë më konciz; Përdoruesit e SecureDrop-it, që vizitojnë një emër Onion të lexueshëm nga syri njerëzor, tani mund të shohin dhe të hidhen te adresa Onion V3 përkatëse; dhe paneli, si i tërë, është rikrijuar nga e para, për përputhje më të mirë me lexues ekrani.

Foto ekrani e shfaqjes së qarkut të përditësuar për securedrop.org në Shfletuesin Tor për desktop

Ikona të reja sajtesh Onion

Më parë, sajtet Onion përfaqësoheshin me shenjën e qepës – një version i vockël, i sheshtë i stemës qepë të Shfletuesit Tor. Tani, kur vizitoni një sajt onion me Shfletuesin Tor 12.5 qoftë në desktop, qoftë në Android, do të vini re diçka të re.

Është e rëndësishme të pranohet se shërbimet Onion nuk janë ekskluzive për Shfletuesin Tor dhe se janë një produkt më vete. Dora-dorës që adoptimi i shërbimeve Onion mes grupesh të shoqërisë civile, shoqatash të të drejtave të njeriut dhe grupesh media dhe lajmesh është shtuar, po aq është shtuar mbulimi i vizitave në shërbime Onion nga aplikacione palësh të treta. Sot, përveç Shfletuesit Tor, mundeni të përdorni shërbime Onion edhe në aplikacione të përputhshëm, fjala vjen, Orbot, Shfletuesi Onion dhe Brave, sa për të përmendur pak prej tyre. Prej kësaj, nuk ka më kuptim të vazhdohet të përfaqësohen sajtet Onion me një ikonë të lidhur kaq ngushtë me Shfletuesin Tor dhe jemi të ngazëllyer të paraqesim për herë të parë sot identitetin e tyre të ri.

Foto ekrani e sajtit Onion të ProPublica-s në Shfletuesin Tor për desktop dhe Android

Punim i përmirësuar për lidhjen

Shfletuesin Tor 10.5 për desktop nxorëm në pension Nisësin e Tor-it, në favor të një ndërfaqeje të re që u lejon përdoruesve të lidhen me Tor-in që nga vetë dritarja e shfletuesit. Kjo veçori çliroi përfitimin shtesë të të qenit në gjendje të përdoren menu të tjera të Shfletuesit Tor, teksa jashtë linje, përfshi rregullime Lidhjeje, çka ofron funksionim më të thellë se sa ofroi ndonjëherë faqja përkatëse e Nisësit të Tor-it.

Që nga ajo hedhje në qarkullim, pjesëmarrësit në testime përdorimi kanë pasur, me raste, vështirësi për të kuptuar se si të lidhen, pas largimit nga skeda “Lidhu me Tor-in”. Si shërim për këtë, e bëmë butonin Lidhu të përdorshëm te shtylla e adresave për çdo faqe që vizitoni teksa jo në linjë dhe Shfletuesi Tor do të lidhet automatikisht, pasi të keni formësuar një urë te rregullimet e Lidhjes. Kemi përmirësuar gjithashtu dukshmërinë e gjendjeve të lidhjes së shfletuesit, që tanimë mund të gjendet në cepin e sipërm djathtas të dritares së shfletuesit dhe do të vini re edhe një ikonë të re lidhjesh që shfaqet kudo në shfletues.

Foto ekrani e skedës së rregullimeve të Lidhjes, në Shfletuesin Tor për desktop, para lidhjes

Shkallë më e mirë përdorimi nga persona me aftësi të kufizuara

Ngaqë Shfletuesi Tor bazohet në Hedhjen Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar të Firefox-it, ne ripërdorim aq UX nga pjesa e përparme e Firefox-it sa mundemi, që të mund të përqendrojmë burimet tona në probleme privatësie dhe sigurie. Por Shfletuesi Tor, mbi Firefox-in, përfshin gjithashtu mjaft faqe dhe përbërës të përshtatur.

Paralelisht me përpjekjet e vazhdueshme të Mozilla-s për përmirësimin e përdorimit të Firefox-it nga persona me aftësi të kufizuara, filluam një shqyrtim të përdorimit të Shfletuesit Tor nga persona me aftësi të kufizuara, për të dokumentuar probleme me Shfletuesin Tor për veçori të përshtatura për desktop. Ky shqyrtim tanimë është plotësuar dhe kemi filluar të vëmë në jetë ndreqjet e para, në atë që do të jetë një përpjekje për përmirësimin e përdorimit të Shfletuesit Tor nga persona me aftësi të kufizuara, përgjatë disa hedhjesh në qarkullim.

Që me Shfletuesin Tor 11.5 kemi ripunuar disa përbërës, përfshi regjistra ndryshimesh që vijnë me shfletuesin (about:tbupdate), shfaqjen e qarqeve, panelin e niveleve të sigurisë, dialogë të ndryshëm dhe pjesë të tjera të chrome-it të shfletuesit. Nëse përdorni një lexues ekrani, apo çfarëdo tjetër teknologjie ndihmuese, do të donim fort të kishim ndihmën tuaj në testim ndreqjesh të kaluara dhe të ardhme, duke dalë vullnetarë si testues alfa dhe duke u dhënë përshtypjet zhvilluesve tanë te forumi i Tor-it.

Foto ekrani e regjistrit të brendshëm të ndryshimeve, me panelin e niveleve të sigurisë të zgjeruar në Shfletuesin Tor për desktop

Mbulim i gjuhës finlandisht

Shfletuesin Tor 12.0 shtuam mbulim për shqipen dhe ukrainishten. Tanimë, falë punës së pabesueshme të përkthyesve tanë vullnetarë dhe partnerëve në Localization Lab, jemi të gëzuar të përfshijmë finlandishten (Suomi) si mundësi gjuhe, për desktop dhe Android. Nëse vini re një gabim në finlandisht, apo çfarëdo gjuhe tjetër, mund të mësoni më tepër se si të jepet ndihmesë në përkthimin e Shfletuesit Tor, të dokumentimit të tij dhe të sajtit tonë, te portali i përkthimit.

Foto ekrani nga faqja e lidhjes, në finlandisht, Shfletuesi Tor për desktop dhe Android

Dërgonani përshtypjet

Nëse gjeni një të metë, ose keni një sugjerim se si mund ta përmirësojmë këtë hedhje në qarkullim, ju lutemi, na e bëni të ditur. Falënderim për krejt ekipet në Tor dhe për mjaft vullnetarë, të cilët dhanë ndihmesë në këtë hedhje në qarkullim.

Ju duhet ndihmë?

Shihni PBR nga bashkësia jonë

Vizitoni Asistencën

Lidhuni

Bisedoni me ne drejtpërdrejt!

Ejani te ne në IRC